Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha të mërkurën se çdo “ndihmë vdekjeprurëse” që Kina do t’i ofronte Rusisë për luftën në Ukrainë do të ishte një “gabim historik” që do të kishte pasoja të mëdha.
Në një konferencë për shtyp në selinë e NATO-s në Bruksel, pas takimit të ministrave të jashtëm të Aleancës, ai tha se e ardhmja e Ukrainës është në familjen euroatlantike dhe tha se NATO do të vazhdojë të mbështesë Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën.
Ai vlerësoi se anëtarësimi i Ukrainës në Aleancë duhet të bazohet në pavarësinë e vendit dhe demokracinë e tij dhe shtoi se këto aspekte kërcënohen nga pushtimi rus, transmeton Tanjug, duke iu referuar Reuters.
Stoltenberg tha se pas përfundimit të luftës, forcat ukrainase duhet të kenë nivelin “më të lartë të mundshëm” të bashkëpunimit me Aleancën.
Ai tha se nëse presidenti rus Vladimir Putin do të fitonte në Ukrainë, kjo do të dërgonte një mesazh të rrezikshëm për “vendet autoritare në mbarë botën”.
Duke komentuar njoftimin e Rusisë se do të instalojë armë bërthamore taktike në Bjellorusi, ai vlerësoi se deklarata e përbashkët e Kinës dhe Rusisë, me thirrjen që vendet të mos vendosin armë bërthamore jashtë kufijve të tyre, ishte një “premtim bosh”.
Ai tha se “ne të gjithë duhet të monitorojmë me kujdes atë që po bën Rusia”, por shtoi se NATO nuk ka parë ende asnjë shenjë se Moska ka filluar të zbatojë njoftimin e Putinit.
Stoltenberg më pas iu referua pranimit të Finlandës në NATO dhe vuri në dukje se anëtarët e Aleancës, pasi pranuan hyrjen e Finlandës, ranë dakord që Suedia të bëhet aleate e tyre sa më shpejt të jetë e mundur.