Kosova përkujton sot 25 vjetorin e Masakrës së Reçakut ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë të pafajshëm.
Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kreu i Parlamentit Glauk Konjufca dhe ish-ambasadori William Walker kanë zhvilluar homazhe në varrezat e të rënëve.
Osmani tha se shqiptarët u masakruan duarthatë në mënyrë brutale nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
“Jemi këtu jo vetëm për të nderuar viktimat e regjimit gjenocidal të Millosheviçit, por për të përsëritur thirrjen tonë për drejtësi. Drejtësia i jep kuptim paqes, lirisë, e është e domosdoshme për pajtim. Edhe sot jemi këtu për të nderuar të rënët, të gjithë ata që duarthatë u masakruan në mënyrë brutale, duke kryer krime kundër njerëzimit nga regjimi i Millosheviçit”, tha Osmani.
Nga ana tjetër, kryeministri Albin Kurti falënderoi ish-ambasadorin e misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili i tregoi botës se çfarë ndodhi me shqiptarët në Reçak.
“Masakra e Reçakut këtu e 25 vjet më parë, ku u vranë 45 civilë shqiptarë e tronditi si opinionin publik ndërkombëtar, gjithashtu edhe diplomacinë botërore dhe e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Kur ndodhi masakra e Reçakut, ambasadori William Walker si udhëheqës i misionit të OSBE-së në Kosovë erdhi këtu te fshatarët dhe e foli të vërtetën, tha kjo është masakër dhe krim kundër njerëzimit”, deklaroi Kurti.