Në Kosovë Ministri i Administrimit të Pushtetit lokal, Elbert Krasniqi ka njoftuar lirimin nga detyra të Ekipit Menaxhues për hartimin e draft-statutit për Asociacionin e Komunave më shumicë serbe. Sipas Krasniqit pas prezantimit të draft-statutit në takimin e së martës në Bruksel, ky ekip është ezauruar.
“Pas prezantimit të djeshëm në Bruksel të draft-statusit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit Menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, ky ekip është tashmë pa status”, tha ministri Krasniqi.
Vendimi parashikon lirimin nga detyra të anëtarëve Danijela Vujiçiç, Jelena Boloviç, Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviç.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Drejtorit të Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç i cili ka deklaruar se vendimi i Kryeministrit Albin Kurti është i njëanshëm dhe i paligjshëm.
“Prishtina e udhëhequr nga Albin Kurti sapo ka marrë një vendim të njëanshëm dhe të paligjshëm për shpërbërjen e Ekipit Menaxhues që hartoi Statutin e ZSO-së dhe e prezantoi atë dje në Bruksel, për të cilin as Kurti dhe as i ashtuquajturi ministër i tij për Vetëqeverisje Lokale nuk kanë të drejtë”, tha Petkoviç, raporton Tanjug.