I veshur sportiv, me xhinse, një T-shirt dhe flokët se shpupuritura, Lulzim Basha dha sinjalet e para se kërkon që të marrë drejtimin e Partisë Demokratike, ndonëse nuk e pati guximin që ta thoshte “troç” këtë objektiv të tij. Pas zgjedhjeve të 14 majit, është parë e domosdoshme prezenca e një lidershipi të ri, mirëpo në një kohë kur nuk është çelur zyrtarisht fushata për kreun e partisë më të madhe opozitare në vend, Lulzim Basha ka nisur shumë më herët nga sa pritej të punojë për të siguruar një mandat tjetër.
Takimin e parë në rikthimin e tij në politikën aktive, Basha e pati me të rinjtë, në të cilën prezantoi 3 shtyllat kryesore të platformës së tij, mirëpo duket se ka një problem. Ndonëse flet për një politikë të re që duhet të jetë krejtësisht e ndryshme nga sa është sot, Basha prezanton një ofertë të vjetër për demokratët, për rrjedhojë edhe për qytetarët. Në platformën e tij të prezantuar sot, Basha flet për lista të hapura 100%, vetting të politikanëve si edhe kufizim të pushtetit të kryeministrit në jo më shumë se 2 mandate. Të tre këto pika i ka artikuluar pa pushim edhe gjatë kohës kur ishte zyrtarisht kryetar i Partisë Demokratike, e për të cilat të treja kanë mbetur në kuadrin e propozimeve.
“Të ndalim së besuari të politikanëve dhe ta marrim besimin në duart e tyre, ftesa ime ndaj çdo të riu është të nisim rrugëtimin për këtë ndryshim thelbësor demokratik, lista të hapura 100%. Sa prej jush kanë dëgjuar akuzat që politikanët kanë hedhur ndaj njëri tjetrit dhe sa prej jush i besojnë ato. Si mund të kemi konkurrencë në ekonomi, nëse nuk kemi një konkurrencë në politik. Në këtë platformë është hapja e garës në politikë, një vetting për politikanët. Ka më shumë se një vit që ndodhet një propozim në tryezë se dhe listat e hapura pa vetting ka rrezik që të mos sjellin nën tryezë më të aftët, por ato që kanë mekanizmin e blerjes së votës. Ndërkohë duhet jo më shumë se 2 mandate si presidenti i Amerikës, jo se nuk mundet, por sepse pushteti absolut është korruptues. Asnjë kryeministër, që nuk realizon objektivat e veta nuk mund të ketë një mandat të tretë”, tha Basha.
Sot Partia Demokratike është në ditët e saj më të këqija, e pranuar edhe nga vetë Lulzim Basha, mirëpo, teksa të gjithë presin që ai të japë një rrugë se si mund të zgjidhet ngërçi që po vijon prej më shumë se një viti, edhe kësaj radhe ish-kryedemokrati zgjodhi të heshtë. Asnjë plan se si mund të vijë zgjidhja, asnjë fjalë nëse është ai zgjidhja, e ndërsa do të ishte ai, asnjë fjalë për palën tjetër që i ka pasur kundër e sot janë të rreshtuar krah Sali Berishës që me pushtetin si kryetar i PD-së e përjashtoi nga politika, duke u bërë shkak për vijimin e disa pasojave fatale, e thënë pa asnjë lloj hezitimi, për demokratët.
Ky qëndrim, në pozicionin e heshtjes prodhoi edhe një opozitë të dobët e rrjedhimisht edhe një popull pa asnjë shpresë. E kur të gjithë, mes tyre edhe vetë Basha, flasin se duhet të rikthehet shpresa, dyshojmë se kjo mund të ndodh duke përdorur taktika e duke i ofruar oferta të vjetra. Përse kjo zgjedhje? Është e vështirë për t’i dhënë një përgjigje, atë mund ta dijë vetëm Lulzim Basha dhe pa dyshim koha do na e tregojë, mirëpo ndoshta do jetë shumë vonë dhe shpresa do jetë shuar plotësisht…/B.K