Disa personazhe të jetës publike janë destinuar të mbesin të dytët edhe kur garojnë me veten e tyre.
Kjo, për shkak se përkrahin ata që mund të kenë fuqinë kryesore për t’i mbajtur në atë pozitë, asnjëherë fitimtarë.
Çfarë të përbashkëte mund të kenë deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj dhe tenori i Teatrit të Operës dhe Baletit, Armaldo Kllogjeri?
Nëse mund t’ia kthejmë një përgjigje përbashkuese është vetëm fakti se të dy nuk do fitojnë kurrë pozitën e parë, të kryetarit të partisë apo të kryetarit të shtëpisë më të famshme në Shqipëri.
Më shumë se sa gropa që i kanë hapur vetes me kërkimin e një korrjeje apo trofeu të artë, duket se mënyra se si tentuan ta bëjnë ishte tipike e atyre që dalin “përgjithmonë të dytët”.
Alibeaj kërkon të zhbëjë koalicionin opozitar Berisha-Meta vetëm për të legjitimuar firmën që s’ia kanë dhënë 600 mijë mbështetës të Partisë Demokratike por një gjykatë Apeli vetëm tre ditë para përfundimit të afatit të regjistrimit për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Kllogjeri nga ana tjetër kërkoi të zhbëjë koalicionin e ‘dashurisë’ Ejlli-Tito vetëm për të legjitimuar fitoren e një “femre” duke iu referuar në këtë rast aktores Olta Gixhari – pasi dështoi vetë për ta fituar formatin.
KQZ-ja do të vendosë për fatin e të parës, publiku i Big Brother do të vendosë për fatin e banorëve të shtëpisë më të ndjekur në radhë të dytë (Gixhari-Tito).
Por ajo që bie në sy është se keqdashja dhe pamundësia për të qenë triumfues në jetë (politikë dhe showbiz në këtë rast) të rivendikon përgjithmonë si “të dytin”.
Po, edhe kur bëhet fjala për veten.
Fakti që Alibeaj me letra është kryetar partie, ndërsa “maestro” është solist i parë në TKOB nuk hedh poshtë pamundësinë e tyre për të mposhtur dëshirën që të nënçmojnë suksesin e pashmangshëm të tjetrit.
Në këtë rast dy personave fare të afërt dhe bashkëpunëtorë me njëri tjetrin si Sali Berisha dhe Luiz Ejlli.
Edhe aty kur fatet e njerëzve duken pashmangshmërisht të palidhura mes tyre, është vullneti për të qenë gjithmonë i dyti që bën bashkë një deputet dhe një tenor.
Në mes, është dëshira për të dalë i pari mes vendeve të dyta!