Dorëheqja e dytë në Kosovë brenda 24 orëve pas ngjarjes së rëndë të përdhunimit të një 11-vjeçareje. Ali Gashi, që deri më tani ka drejtuar Drejtorinë për trajtimin e të burgosurve dhe të miturve në Shërbimin Korrektues të Kosovës, ka dhënë dorëheqjen.
“Dorëheqja ka ardhur si akt moral i Gashit, pasi njëri nga të dyshuarit për dhunim ka qenë në mbajtje të dënimit në institucione korrektuese për disa vepra penale”, thuhet në njoftim.
Kjo dorëheqje vjen një ditë pasi Samedin Mehmeti dha dorëheqje nga detyra e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, për “arsye personale dhe ndërgjegje profesionale” sa i përket rastit të fundit të dhunës seksuale ndaj të miturës në Prishtinë.
Autoritetet në Kosovë kanë arrestuar pesë autorët që dyshohet se kanë dhunuar të miturën në Prishtinë më 27 gusht në Prishtinë. Katër prej tyre u është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaj. Në mesin e të arrestuarve janë edhe tre persona të mitur.
Viktima, sipas Policisë së Kosovës, është dërguar në një strehimore. Rasti i dhunimit të 11-vjeçare ka shkaktuar zemërim në mesin e publikut kosovar. Krerët institucionalë kanë kërkuar që autorët e dyshuar të marrin dënim meritor.