Qeveria e Kosovës tha se “pas rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe”, institucionet kanë vendosur që të ndalojnë hyrjen në territorin e shtetit të automjeteve me targa të Serbisë.
Lajmin për Radion Evropa e Lirë e konfirmoi zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili tha se pas ngjarjes që ndodhi të mërkurën në vijën kufitare me Serbinë, institucionet e Kosovës kanë vendosur që të rrisin nivelin e kontrolleve kufitare.
“Për arsye të sigurisë, institucionet kanë vendosur që të rrisin nivelin e kontrolleve kufitare. Andaj, si hap i menjëhershëm është vendosur që të ndalohet hyrja e automjeteve me targa të Serbisë në Republikën e Kosovës, teksa vazhdon analizimi i situatës nga institucionet e sigurisë. Veprimet e radhës do të merren bazë të rekomandimeve të institucioneve të rendit”, tha Kryeziu.
Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur zyrtarët policorë dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.