Fillimi i luftës në Ukrainë, duket se ka ndikuar edhe në aspektet sociale. Një ndër to është edhe kompeticioni ‘Eurovision’, ku lëvizje të mëdha pati edhe vitin e kaluar, por edhe këtë vit ujërat kanë filluar që të trazohen.
‘Eurovision’ këtë vit do të zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar edhe pse fituesja e vitit të kaluar ishte Ukraina. Kjo e fundit nuk është në gjendje ta zhvillojë konkursin në vendin e vetë për shkak të luftës.
Pas Maqedonisë së Veriut, edhe Mali i Zi ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në Euriovision për shkak të kostos së lartë të pjesëmarrjes. Secili transmetues që merr pjesë në festival, paguan një tarifë të caktuar në bazë të madhësisë së vendit. Mendohet që tarifa këtë vit mund të jetë rritur, për shkak të përjashtimit të Rusisë nga ky kompeticion.
‘Përveç kostove të mëdha të pjesëmarrjes, ne vumë re se sponsorët nuk shfaqën interes për të na mbështetur në këtë rrugëtim. Për këtë arsye ne nuk do të marrim pjesë’,-tha transmetuesi publik i Malit të Zi, RTCG.
Kostoja totale për të gjithë transmetuesit pjesëmarrës shkon deri në 5 milion paund, por nuk dihet sesa paguan secili vend pjesëmarrës.
Vetëm 3 ditë më parë edhe Maqedonia e Veriut u tërhoq nga pjesëmarrja në Eurovision me të njëjtin argument si Mali i Zi, nuk mund të përballojnë koston e pjesëmarrjes.