Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim përfaqësuesin special të Bashkimit Europian për dialog, Miroslav Lajçak, me të cilin diskutoi mbi sfidat aktuale politike dhe të sigurisë, duke vënë theksin te veriu i vendit, përpjekjet për përmirësimin e situatës, si dhe nevojën për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.
Presidentja Osmani tha se grupet kriminale që kanë ushtruar dhunë ndaj gazetarëve, policëve dhe trupave të KFOR-it, duhet të përballen me drejtësinë.
Në komunikatën e nxjerrë nga Presidenca thuhet se Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t`i tejkalojnë sfidat aktuale dhe se Kosova ka treguar vullnet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.
“Në kontekst të zhvillimeve të fundit në veriun e vendit, Presidentja Osmani ka theksuar se grupet kriminale dhe individët që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, duhet të përballen me drejtësinë”, – thuhet në njoftim.
Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e palëkundur në synimin e saj për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon.