Ndoshta as vetë Luiz Ejlli, nuk do ta kishte imagjinuar suksesin e tij në “Big Brother Vip”. Këngëtari u rikthye në vëmendje të publikut, pas shumë vitesh distancim. Karriera e tij, ishte shkëputur nga muzika, duke u fokusuar tek diplomacia, ku për vite mbajti postin e rëndësishëm në Francë.
Artisti shkodran u bë pjesë e formatit për t’u futur edhe njëherë në një treg, që bëhet dita ditës më i vështirë për të qëndruar në të. Dhe në fakt, ajo që ende Luizi nuk di është suksesi që ka korrur si banor i kësaj loje, duke qenë edhe një nga pretendentët për ta fituar.
Që është më i pëlqyeri e dëshmojnë edhe shifrat marramendësi që ka arritur në rrjete sociale, vetëm në “TikTok” emri i tij ka shkruar në 4.1 miliardë shikime. Ndërkohë, Luizi numëron gjithashtu mbi 593 mijë ndjekës në “Instagram”, llogari e cila u hap pas hyrjes së tij në BBVA.
Por, këtë sukses të tij këngëtari nuk e imagjinonte dot deri dje, pasi herë pas here ka thënë që shpreson të paktën të ketë fituar disa ndjekës deri më tani. Edhe së fundmi teksa fliste me banorët, Ejlli u shpreh se ndonëse një dron i erdhi ku thuhej që ka arritur një miliard klikime ai nuk kishte arritur ta besonte këtë.
Edhe pse ende është pjesë e lojës, bizneset kanë nisur bashkëpunimet me faqen e tij të “Instagram”-it, ku një postim arrin deri në 3 mijë euro. Të shumta janë bizneset “në radhë” për t’u publikuar në faqen e tij.
Gjithashtu, bizneset kanë nisur bashkëpunimet edhe me Luizin brenda shtëpisë. Përditë e më shumë, këngëtarin po e shohim me veshje apo me aksesorë luksozë. Të gjitha këto janë dhurata nga bizneset, që ndonëse është e ndaluar t’ia përmendin emrin, nuk kanë ngurruar t’i çojnë veshje të kushtueshme brenda shtëpisë.