1813 maturantë, të cilët pasi kanë aplikuar në sistem dhe kanë zgjedhur degën Mjekësi e Përgjithshme do të duhet të testohen sot edhe me shkrim në një testim të informatizuara për njohuritë e tyre. Pikët e mbledhura nga mesatarja e Maturës Shtetërore përbejnë 70% të vlerësimit ndërsa 30% do të jetë pesha e testimit me shkrim që fillon sot dhe zgjat deri më 23 gusht. Testi është online dhe pyetjet janë me alternative, kandidatët për student informohen menjëherë pas testimit për rezultatin e tyre.
Por nga 1813 maturantë që kanë aplikuar për Mjekësi të Përgjithshme, mes tyre do të përzgjidhen vetëm 400 fitues. Po këtë vit e veçanta e studentëve është se fituesit do të duhet të lidhin kontratë që pas studimeve të ofrojnë shërbim shëndetësor për 5 vite në vendin e tyre.
Këtë vit u vu re një ulje e numrit të maturantëve që zgjodhën degën e mjekësisë me gati 40 % nga viti i kaluar, ku aplikuan 3 mijë maturantë, reduktim të cilin pedagogë të fakultetit e lidhën pikërisht me detyrimin ndaj mjekëve të rinj për të kontribuar për 5 vite në vendin e tyre.