Komisioni për Çështjet Ligjore, teksa diskutoi për disa ndryshime në ligjin për asistencën sociale, propozoi që bonusi i bebeve për prindërit që jetojnë jashtë Shqipërisë të mos jepet.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Denada Seferi, tha se me këtë propozim do të shmangen përfitimet e dyfishta nga familjet që jetojnë jashtë vendit dhe do të krijohen kushte të barabarta për ata që jetojnë në Shqipëri.
“Gjatë viteve 2019-2023 ne kemi ndjekur në vazhdimësi akordimin e 188 623 shpërblimeve për foshnjat e lindura brenda dhe jashtë vendit, kemi parë se gjatë këtyre viteve është rritur ndjeshëm numri i familjeve të mbështetura që nuk janë rezidente në Republikën e Shqipërisë.
Në këtë kuadër, me kërkesë të deputetëve dhe të disa grupeve që kanë ardhur me studime nga terreni, kemi arritur në përfundimin se ky bonus duhet të përfitohet vetëm nga qytetarët që jetojnë në territorin e vendit”, deklaroi zv.ministrja e Shëndetësisë.
Propozimi i bërë nga maxhoranca nuk u prit mirë nga deputetët e opozitës të cilën theksuan se ka mungesë të raportit dhe ndikimin që do të ketë në buxhetin e shtetit.