Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pas vizitës që do të kryejë nesër në Vatikan, do të udhëtojë për në Bruksel.
Atje tha se do të ketë takim të dialogut të nivelit të lartë, që nënkupton që me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, do të ketë takim mes kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Kurti ka treguar se kërkesa e tij do të jetë lirimi i tre policëve kosovarë të rrëmbyer nga forcat serbe, më 14 qershor brenda territorit të Kosovës.
“Përcaktova itinerarin tim për të shkuar në Bruksel nga Roma nesër, duke konfirmuar pjesëmarrjen time në takimin e dialogut të nivelit të lartë të thirrur nga HR/VP Borrell. Do të insistoj për lirimin urgjent pa kushte të 3 policëve të mbajtur peng nga Serbia, deeskalimin dhe normalizimin e marrëdhënieve”, – ka shkruar Kurti në Twitter.