Rrëmbimi i tre efektivëve nga ana e Serbisë, ka bërë që ditën e sotme Kosova të mbledhë Këshillin e Sigurisë. Takimi në të cilin marrin pjesë drejtuesit më të lartë të shtetit ka filluar në orën 7:00 të mëngjesit.
Mënjëherë pas kësaj mbledhjeje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm, Zveçka kanë dalë në konferencë për mediat.
Kurti thotë se rrëmbimi ka ndodhur brenda territorit të Kosovës dhe policia në bashkëpunim me KFOR kanë gjetur gjurmët e policëve serbë, si edhe ushqimet që ata kanë ngrënë dhe prangat. Kurti u shpreh se rrëmbimi i policëve është një hakmarrje nga ana e Serbisë, pasi Kosova ka propozuar një plan masash për të dalë nga situata e tensioneve me fqinjët. Kryeministri ka deklaruar se është rritur gatishmëria në të gjithë vendin dhe se shtetasit serbë të dyshimtë nuk do të lejohen që të futen në territorin e tyre.
‘Na çudit heshtja e ndërkombëtarëve ndaj këtyre veprimeve të Serbisë, presim që ata të reagojnë. Kriminelët duhet të përballen me veprimet e tyre’, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm e ka cilësuar veprimin e Serbisë si të papranueshëm dhe incident të rëndë, duke u kërkuar ndërkombëtarëve ta dënojnë këtë akt kriminal.