Departamenti Amerikan i Shtetit e cilësoi “të njëanshëm” vendimin e Kosovës për të ndaluar dinarin dhe për të përdorur euron për pagesa në të gjithë vendin. Ky vendim sipas DASH, ia kufizon mundësitë SHBA-së për të mbështetur Kosovën në arenën ndërkombëtare.
DASH-i i bën thirrje Kosovës ta shtyjë zbatimin e këtij vendimi “menjëherë”, derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe popullata të jetë edukuar mjaftueshëm se si do të vazhdojë periudha e tranzicionit.
“Vendimi u shpall pa përgatitje apo konsultim adekuat. Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të zhgënjyera dhe i kundërshtojnë planet e tanishme të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin e importit të valutave të huaja, përfshirë të dinarit serb”, theksoi DASH.
Edhe Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të ofrojë periudhë të gjatë tranzicioni për largimin nga përdorimi të dinarit serb. Blloku evropian po ashtu bëri thirrje që Kosova të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli.