Një nga këngëtarët më të dashur të momentit, Yll Limani, ka ndarë një lajm të trishtë me ndjekësit e tij. Përmes disa postimeve në rrjetet sociale, ai bën me dije se ka humbur maçokun e tij, Loki, të cilin e adoptoi pak kohë më parë.
Ylli tregon se maçokun ia kanë sulmuar tetë qen endacakë në momentin që ka dalë nga shtëpia. Ai shton se gjithçka është filmuar nga kamerat e sigurisë, por që nuk ka guxim që t’i shohë ato për shkak të dhimbjes që ndjen pas humbjes. Këngëtari thotë se nuk është i irrituar me qentë e rrugëve, por me autoritetet në Prishtinë që nuk marrin asnjë masë.
“Kur Loki u shqye nga qentë e lagjes, krejt çka përjetova ishte mllef dhe irritim ndaj qeverisjeve komunale që lundrojnë nëpër liqejt e tyre imagjinarë. Asnjë moment nuk u irritova me ndonjërin prej qenve. Përgjigja normalisht që është e thjeshtë: Tek qeverisja e re e Prishtinës, për të cilët refuzoj me besu që jetojnë përbrenda renderave të tyre që kryeqytetin e shohin si planimetri të shkëputur prej problemeve ditore. Tek qeverisja e re që ka filluar mandatin duke na garantuar që mandati i tyre do të jetë i perjetimeve – të cilat s’po dalin me qenë domosdoshmërisht të bukura. Të paktën jo për familjen tonë,”- theksoi Ylli.