Zyrtarë gjermanë të mbrojtjes janë shprehur se po shqyrtojnë mundësinë të dërgojnë trupa shtesë në Kosovë për të përforcuar misionin paqeruajtës të NATO-s pas dhunës dhe tensioneve, javëve të fundit në veri të Kosovës.
“Me një kërkesë të koleges sime austriake Klaudia (Tanner), ne po shqyrtojmë nëse mund të rrisim pak angazhimin tonë brenda mandatit aktual (parlamentar) për të lehtësuar Austrinë”, – tha ministry gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.
NATO vendosi trupa shtesë në Kosovë pas tensioneve që shpërthyen që nga 26 maji në veri të vendit, ku grupe protestuesish serbë dolën në rrugë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe. Gjatë përleshjeve në fund të muajit maj mbetën të plagosur të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse.
Diplomatët perëndimorë janë vënë në përpjekje që t’i bindin Kosovën dhe Serbinë për ulur tensioned, duke përmbushur tri kërkesa të Bashkimit Evropian. Kërkesat përfshijnë pezullimin e operacioneve policore, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakusht të serbëve të Kosovës.
Diplomatët perëndimorë kanë shprehur shqetësimin për mundësinë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në një kohë kur as Kosova dhe as Serbia nuk kanë ndërmarrë hapa për uljen e tensioneve me gjithë thirrjet e tyre.
I dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, pas vizitës në Prishitinë e Beograd në përpjekje për të gjetur rrugëdalje nga kriza në veri të Kosovës, tha se takimet me udhëheqësit e të dyja vendeve i kanë ndihmuar në qartësimin e hapave të ardhshme për çtensionimin e situatës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur në favor të mbajtjes së zgjedhjeve të reja dhe uljes së pranisë së njësive të posaçme të policisë në veri, krahas vendosjes së sundimit të ligjit. Ai ka kërkuar nga autoritetet ndërkombëtare garanci që zgjedhjet të mbahen pa trysni nga Beogradi dhe të mos përësëritet rezultati i 23 prillit kur u bojkotuan nga serbët lokal.
Kosova dhe Serbia katër muaj më parë, u pajtuan për një plan të hartuar nga Bashkimi Evropian për t’u dhënë fund armiqësive dhe për të ndihmuar përmirësimin e marrëdhënieve, por tensionet kanë vazhduar dhe palët akuzuan njëra-tjetrën për nxitjen e tyre.