Fuqitë perëndimore, prej disa kohësh tashmë, kanë shprehur qartë kërkesën për qetësimin e situatës në veri të Kosovës dhe implementim sa më të shpejtë të Marrëveshjes së Ohrit.
Kosova ka pranuar disa hapa që mund të sjellin zbatimin e propozimit 3 pikësh të BE-së për qetësimin e situatës në veri të vendit. Kryeministri Kurti tashmë po kërkon të ecet drejt zbatimit të menjëhershëm të Marrëveshjes së Ohrit.
Lidhur me këto zhvillime është shprehur edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë. Një zëdhënës i ministrisë ka thënë se Berlini zyrtar, siç ka pritur nga Kosova, pret edhe nga Serbia të kontribuojë aktivisht në de-përshkallëzim dhe që Beogradi zyrtar të bëjë një zotim të qartë për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë tha se ata mbështesin përpjekjet e Bashkimit Evropian dhe punën e përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajcak si dhe dialogun mes Kosovës e Serbisë që udhëhiqet nga Bashkimi Evropian.