Policia e Fierit njofton se ka finalizuar operacionin policor të koduar “Corner”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, Seksioni Operacional në DVP Fier dhe Komisariati i Policisë Fier.
Sekuestrohet lëndë e dyshuar narkotike heroinë, e ndarë në doza, gati për shitje dhe një shumë parash, me vlerë rreth 2.6 milionë lekë të rinj, e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale. Vihen në pranga 2 bashkëpunëtorët në veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, procedohet penalisht 1 shtetas tjetër.
Në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e grumbulluara në rrugë policore për dy shtetas që posedonin dhe shpërndanin lëndë narkotike heroinë, në qytetin e Fierit, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier dhe Seksionin Operacional në DVP Fier, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Corner”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
-A. M., 45 vjeç, banues në Celigradë, Fier dhe E. T., 32 vjeç, banues në Grecalli, Fier.
Këta shtetas janë kapur dhe arrestuar në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në lagjen “15 Tetori”, Fier, duke i shitur lëndë të dyshuar narkotike heroinë, shtetasit A. H., 24 vjeç, banues në Fier, i cili u procedua penalisht në gjendje të lirë. Gjatë kontrollit fizik të shtetasve A. M. dhe E. T., si dhe gjatë kontrollit në banesat e tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, dhjetëra doza me lëndë të dyshuar narkotike heroinë, paketime (kuti shkrepsesh) që shërbenin për ndarjen në doza të lëndës narkotike, një shumë e konsiderueshme parash të valutave të ndryshme, me vlerë rreth 2.600.000 lekë të rinj, 10 aparate celulare dhe 2 peshore elektronike.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.