Artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka qenë së fundmi e ftuar në ceremoninë e çmimeve “Booker” që u mbajt në Londër. Në fjalimin e mbajtur ajo theksoi se nuk kishte kënaqësi më të madhe se të lexosh një libër dhe se shkrimet e mira kanë fuqinë t’i bëjnë njerëzit të ndihen mirë. Ajo ka theksuar se janë librat ato të cilët e ndihmojnë të kalojë lodhjen dhe gjendjen stresuese që të shkaktojnë koncertet.
Në fjalët e saj gjatë aktivitetit, në The Roundhouse në Londër, Lipa vlerësoi shkrimtarin Ismail Kadare, e duke përmendur edhe librin e tij “Kështjella”.
“Është një nder i madh të jesh në mesin e disa prej mendjeve letrare më të mëdha të botës. Leximi është një pasion që ka marrë shumë forma për mua. Ashtu si shumë fëmijë të tjerë të shkollës londineze, obsesionet e mia të hershme përfshinin Roald Dahl dhe Malorie Blackman, të cilët të dy më dhanë perla të vogla urtësie që më udhëheqin edhe sot”.
Dua Lipa theksoi se librat e Kadaresë e kanë ndihmuar atë që të lidhej me trashëgiminë e saj dhe të mësonte më shumë për të.
“Kur kam qenë e re, familja ime vendosi të kthehej në Kosovë. Leximi i librave si ai ‘Kështjella’ i Ismail Kadaresë testoi aftësitë e mia gjuhësore dhe më ndihmoi të lidhesha me prejardhjen e familjes dhe identitetin si shqiptare e Kosovës. Përmes Kadaresë mësova për shpirtin rezistues të shqiptarëve që e mban akoma Kosovën duke luftuar për njohjen e pavarësisë së saj”, shtoi më tej ajo.
Fituesja e “Brit” vazhdoi: “Shpesh pyes veten nëse autorët e kuptojnë se sa dhurata na bëjnë”.