“Në kuadër të dashurisë” tërhoqi vëmendjen e publikut që kur nisi të përflitej si një projekt ku do të merrnin pjesë Olta Gixhari dhe Luiz Ejlli.
I ftuar në një intervistë televizive, regjisori i filmit Koloreto Cukali tregoi nëse do të jetë komedi apo dramë, pra do të qajmë apo do të qeshim me filmin.
“Ne kemi bisduar gjatë me Ledionin se çfarë drejtimi do të marrë. Drejtimi varet dhe nga marketing, se çfarë do të donte publiku. Ramë dakord që romanca është gjëja më e rëndësishme. Filmi ka momente komedie të mira, ka dhe personazhe të vendosur aty pikërisht për të dhënë komedinë. Por ne kemi tentuar t’i japim pak më shumë drejtim romancës sepse unë gjykoj që gjëja që na mungon më shumë në të përditshmen është dashuria, komedi kemi. Publiku është më i uritur për dashurinë. Ne donim që jo vetëm t’i japim publikut një dashuri të re, por edhe këtë që është venitur dhe ka një fund të lumtur pastaj. Menduam të japim romancën dhe dramën që kthehet në romancë”, ka thënë regjisori.
Premiera e filmit do të prezantohet më 9 tetor në Pallatin e Kongreseve, ndërsa priten edhe datat e lançimit në kinema.