Blerina Kllokoqi-Rugova, bashkëshortja e djalit të presidentit historik, Ibrahim Rugova, ka reaguar lidhur me deklaratën e Murat Bashës, ish-këshilltari i Oborrit Mbretëror. Basha deklaroi se ka qenë në plan të martonin princ Lekën, kur ai ishte gjallë, me Teutën pasi ishte menduar si një kandidate e mundshme. Murat Basha shpjegoi se nga rrethi i ngushtë i Mbretit Leka, u krijua një ‘projekt’ që synonte të planifikonte një të ardhme për princin me një vajzë shqiptare, por që nuk jetonte në Shqipëri.
Megjithatë, pasi mësuan se Princi Leka ishte në një marrëdhënie, kjo ide nuk u materializua.
“Atë kohë çdo gjë u prish dhe unë e kam përgëzuar Princin Leka se ndoqi zemrën e tij”, rrëfeu Basha.
Ndërkohë kunata e saj, Blerina Kllokoqi-Rugova u shpreh se ishte hera e parë që dëgjonte për këtë çështje dhe është e habitur nga kjo ide. Sipas saj, Teuta ishte shumë e re në atë kohë që po flitet për këtë propozim. “Nuk kam dëgjuar kurrë për këtë lajm. Teuta ka qenë shumë e re atëherë, por Teutën të gjithë e duan,” tha Blerina. Kështu, ngjarja që rrethohet nga njëfarë mistere, shton një dimension tjetër në historinë e pasur të Oborrit Mbretëror dhe të familjes Rugova.