Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas ngjarjes së paprecedentë në Kuvend ku deputetët e opozitës sulmuan kryeministrin Albin Kurti.
Në një deklaratë për mediat, PDK ka akuzuar Besnik Bislimin se ishte i pari që nisi përleshjen, teksa sulmoi me shishe Mërgim Lushtakun.
REAGIMI
PDK dënon ashpër sulmin e zëvendëskryeministrit Bislimi ndaj deputetëve të PDK-së.
Sikur të mos u mjaftonte fyerja që i bënë shtetit të Kosovës, veteranëve të UÇK-së, akterëve politik shqiptarë, popullit të Kosovës, para shërbëtorëve të Radojçiqit, sot, në Kuvendin e Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në vend që të ndihej i turpëruar dhe të jepte llogari për përgjimet, provokoi opozitën duke i hequr fotografinë që ata i vendosën në foltore.
Madje, ishte pikërisht zëvëndëskryeministri Bislimi i cili i pari e goditi me mjete të forta, shishe, deputetin Mërgim Lushtaku.
Në një moment kur Kryetari i Kuvendit u desh që të reagojë dhe të mos e lejoj atë që të ndodhë, ai u bëri thirrje Policisë së Kosovës që të ndërhyjnë dhe të arrestojnë deputetët e opozitës.
Futja e Policisë së Kosovës në Kuvend nuk është lejuar të ndodhë as në momentin më të errët në historinë e Kuvendit të Kosovës, kur Lëvizja Vetëvendosje hidhte gaz lotsjellës dhe rrezikonte jetën e deputetëve.