Dikur armiq me njëri-tjetrin, sot përqafohen para 18 mijë personave. Arkimed Lusha (Stresi) dhe Rigels Rajku (Noizy) kanë bërë paqe, dhe të gjithë jemi shumë të lumtur për këtë. Mirëpo një kthim mbrapa në kohë, këto ditë me Stresin dhe Noizyn të përqafuar para qindra personave dukeshin të pamundura.
OTR (Noizy) dhe TBA (Stresi) ishin në konflikt të vazhduar me njëri-tjetrin, ku shpesh herë nuk kanë munguar dhe sherret banale. Pjesë e armiqësisë së tyre ishin edhe fansat e grupit përkatës, të cilët jo pak herë janë “therur” me njëri-tjetrin.
Një rast fatal ishte ai i 28 prill 2010 pranë gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë, ku u masakrua me 11 thika në trup, Denis Dollapi. I riu edhe sot pas 12 vitesh dergjet në koma.
Së fundmi, në një intervistë për “Euronews Albania” marrë shkak nga komentet e ditëve të fundit gazetarja e ka pyetur reperin mbi incidentin. Noizy u shpreh i keqardhur, duke thënë se anëtarët kryesor të grupeve nuk kishin lidhje, gjithçka kishte ndodhur mes fansave.
“Unë ashtu nuk dua të shoh as armikun më të madh. Është për të ardhur keq,”-është shprehur Noizy.
Kujtojmë që referuar hetimit gjyqësor të bërë në atë kohë, Denis Dollapi, përkrahës i grupimit muzikor “Butuesi”, i njohur si mbështetës i reperit “Stresi”, ishte rrahur nga disa djem të grupimit kundërshtar “OTR”, mbështetës i reperit “Noizy”.
Ditën e ngjarjes ai kishte kontaktuar një prej djemve të “OTR”-së, i njohur si “Infiniti”. Sipas prokurorisë, Dollapi i kishte thënë Infinitit të thërriste shokët e tij dhe të sqaroheshin.
Teksa prisnin në një ngushticë pranë “17 Nëntorit”, një e thirrur me zë të lartë “mos e lëshoni Denis Dollapin” u pasua me një grumbull të rinjsh të dhunshëm të armatosur me thika, kaçavida dhe shufra hekuri, që e vendosën të dëmtuarin Dollapi në qendër të sulmit.
Vetë i dëmtuari Denis Dollapi nuk mundi në atë kohë të japë deklarime gjatë hetimit apo dëshmi në gjykim për shkak të gjendjes së tij tepër të rënduar shëndetësore.