Akademiku Artan Fuga ka thënë se situata e krijuar për shkak të tensioneve në veri të Kosovës nuk është e rastësishme, duke shtuar se priret të besojë që tre efektivët ishin brenda territorit të Kosovës.
“Për mendimin tim policët duhet të lirohen dhe problemi duhet të kalojë nga problem ushtarak në një problem politik për të gjetur zgjedhje. Kosova në Kushtetutë është një shtet multietnik, në kuptimin që minoritetet aty, kanë kouta përfaqësimi, edhe nga pikëpamja e sovranitetit, është një shtet që është në një proces tranzitor e delikat.
Edhe nga ana e sistemit të drejtësisë, ka vende të BE që nuk e kanë njohur dhe ende nuk ka një njohje nga OKB, pra sipas meje duhet të zbatojë tre parime duke zbatuar sovranitetin e vet: Nuk mund te veproje pa u konsultuar e pa qenë në të njejtën linjë me ndërkombëtarët; Nuk mund t të mos dialogojë me Serbinë.
Lidershipi në Kosovë duhet të kuptojnë se nuk jemi as në vitet ‘90 as në ‘99 as në 2008, çka do të thotë që ndërkombëtarët e konsiderojnë popullsinë shqiptare që jeton në një shtet të lirë dhe këtë sovranitet e ka fituar me shumë sakrifica, por edhe me një ndihmë shumë të madhe ndërkombëtare.
Sot problemi për aleatët nuk shtrohet si të mbrojmë qytetarët shqiptarë në Kosovë nga dhuna serbe, problemi në rend dite është si të kenë mundësi të respektohen në plotësi të drejtat individuale të pakicës serbe në Kosovës.
Nëse nuk e kuptojmë këtë, kemi mbetur në një retorikë të dekadave më parë.
Kurti ka edhe një justifikim, duke qenë në krye të qeverisjes së Kosovës, është një qeverisje që s’mund të pengohet nga asnjë vullnet, duhet të jetë sovrane. Pra unë bëj zgjedhje, ti nuk vjen, unë vijoj punën”, – është shprehur akademiku Fuga.
Përsa i përket qëndrimit të kryeministrit Rama, ai ndau këtë mendim: “Plani personal i Ramës për të paraqitur para partnerëve një draft për Asociacionit, mendoj që çdo njeri ka të drejtë të propozojë, edhe ju edhe unë mund të bëj një gjë të tillë, por mendimi im është që kryeministri i Shqipërisë duhet të mbështesë paqen në Ballkan, Kosovën dhe politikat e saj. Nuk duhej anuluar mbledhja e qeverive mes dy vendeve. Ishte një mesazh një sanksion.
Qeveria e Shqipërisë ende nuk ka një qëndrim zyrtar për situatën, që do të thotë ose nuk kemi një mendim politik ose presim nga do të fryjë era”.