Ministri Bledi Çuçi, në një konferencë për mediat, i pyetur nëse anëtarët e kampit Ashraf ishin pjesë e sulmeve kibernetike viktimë e të cilave ra vendi ynë pak kohë më parë, u shpreh se kjo është pjesë e sekretit hetimor.
Ai ka shtuar se anëtarët e kampit dukshëm janë angazhuar në aktivitet politik duke botuar edhe gazeta politike, gjë që bie në kundërshtim me marrëveshjen e qeverinë shqiptare, megjithatë në rast se ata reflektojnë dhe i përmbahen marrëveshjes për të zbatuar ligjet e Shqipërisë, do vijojnë të mbeten në vendin tonë nën të njëjtat kushte.
“Nuk kemi menduar të prishim marrëveshjen. Nëse ata do rrinë edhe i mbeten marrëveshjen janë në mbrojtjen tonë. Ajo që ndodhi sot ka bëjë vetëm me zbatimin e vendimit të gjykatës. Marrëveshja do të vijojë por duhet të ketë reflektim nga ata për zbatimin e ligjit në Shqipëri se me veprimet sot treguan se nuk janë gati të zbatojnë ligjet në Shqipëri.
Se çfarë kanë bërë ata është një pyetje që duhet t’ia bëni prokurorisë janë disa çështje që kanë nisur.
Është fillimi i një hetimi penal, prokuroria po heton për shkelje të ligjit. Duhet pyetur prokuroria, aq më tepër që është edhe sekreti hetimor.
Ata kanë bërë aktivitete politike, kanë botuar gazeta politike, ka qenë objekt i diskutimit të bisedave që kemi pasur në vijimësi nga ata.”
Ministri Çuçi foli edhe në lidhje me faktin nëse e ndërkombëtarët kishin dijeni paraprakisht për operacionin.
“Në asnjë moment nuk ka pasur dhunë! Nuk e di nga kanë dalë ata në konkluzionin që ka pasur dhunë, e kundërta ka ndodhur. Duhet ta kenë të qartë të gjithë që vendimet e gjykatës nuk diskutohen, por vetëm respektohen. Ata as nuk pranuan ta lexojnë vendimin e gjykatës, por kaluan edhe më tej. Ajo deklarata për dhunë duhet tërhequr pas sepse s’ka pasur dhunë. Po gjetën një rast që një efektiv ka prekur qoftë dhe një me dorë, të hapin kamerat, mund ta quajnë dhunë, por as prekje s’ka pasur jo më dhunë.
Amerikanët nuk janë pjesë e marrëveshjes, ata janë partnerët tanë më të ngushtë, dhe jemi në një linjë me ta për zbatimin e ligjit”, – tha ai.