Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar sot me 40 vite burg në total katër të rinjtë e arrestuar nën akuzën e abuzimit seksual me të miturën në Kosovë, rast i ndodhur në 27 gusht të vitit të kaluar e që shkaktoi shumë zemërim në shoqëri.
Më konkretisht, 26 vjeçari, Ekrem Rexhepi është shpallur fajtor për veprën penale të dhunimit dhe ndaj tij është caktuar dënimi me 15 vite burg. Vëllai i tij, Gent Rexhepi, i mitur është dënuar me burgim për të mitur me kohëzgjatje prej nëntë vitesh. Ndërsa të miturit, Xhabir Salihu dhe Gentrit Jashari janë dënuar me nga 8 vite secili.
Vetëm, Shkëlqim Kameri është lënë i lirë nga 5 të arrestuarit për rastin e rëndë.
Ngjarja e rëndë shkaktoi reagime të shumta në Kosovë dhe Shqipëri ku figura publike dhe qytetarë të thjeshtë organizuan marshime ku kërkohej vendosja e drejtësisë për vajzën e dhunuar dhe rritja e sigurisë për femrat.
Për rastin e rëndë, dha dorëheqje nga posti, drejtori i Policisë së Prishtinës Samedin Ahmeti.