Ju pëlqeu veshja e Xhensila Myrtezaj në koncertin e Noizyt? Me siguri po…shumë trendy, që shkonte shumë mirë edhe me pamjen e saj, grimin dhe flokët.
Me shumë gjasa mund të mendoni që ajo ishte diçka e mirë menduar, e stiluar nga sitilstët më të mirë në vend, mirëpo nuk është ashtu.
Ato rroba Xhensila e kishte “marrë borxh” nga shoqja e saj e mirë, njëherazi edhe make up artisja, Elona Balaj. Me këto rroba, siç vetë Xhensila e tregon, Elona ka punuar gjithë ditën, dhe në fund i ka hequr për shoqen e saj, që nuk kishte se ç’të vishte në koncert pasi nuk i pëlqente asgjë.
“Kam porositur 3 veshje në 3 stiliste të ndryshme, nuk jua them emrin, shumë bukur të treja, por gjithmonë kishte diçka që çalonte, ose bluza e gjerë, ose bluza e ngushtë, ose pantallonat e shkurta më shumë se ç’duhej dhe gjeje se kush më veshi. Elona Balaj, me rrobat që kishte veshur, ka krehur gjithë dynjanjë, ka trukuar gjithë dynjanjë”, ka treguar Xhensila.