Forcat RENEA ndërhynë për të parandaluar një krim në familje në fshatin Rubjek, Maminas në Durrës. 35-vjeçari Eduard Hoxha pasi ushtroi dhunë ndaj të atit e kërcënonte se do ta vriste me sëpatë. Pas informacionit në polici u kërkua ndërhyrja e forcave RENEA, ndërsa Eduard Hoxha me të parë policinë u mbyll në banesë.
Gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e 35-vjeçarit që ushtronte dhunë ndaj babait të tij, ai ka kundërshtuar me dhunë shërbimet e Policisë lokale dhe është mbyllur në banesë, bashkë me mjetet prerëse.
Pas disa orësh negociata, Forcat RENEA kanë ndërhyrë me forcë në banesë, duke bërë të mundur neutralizimin dhe vënien në pranga të shtetasit Eduard Hoxha. Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar sëpatën dhe thikën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.