Policia e Tiranës ka arrestuar ditën e sotme shtetasin Jesar Shabaj 20 vjeç dhe ka shpallur në kërkim vëllanë e tij Jaser Shabaj 23 vjeç banues në Postribë. Policia ka njoftuar se ka parandaluar ngjarje të rënda kriminale që do të kryheshin me shpërthim të telekomanduar të lëndës plasëse të cilët dy vëllezërit i tregtonin.
Janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 2 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C4 peshë 300 gram, të programuara për shpërthim në distancë (të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatore), të cilat dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale. Gjithashtu janë sekuestruar aparati celular i 20-vjeçarit të ndaluar si dhe një përforcues grushti (dorezë metalike).
Vijojnë veprimet e thelluara hetimore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për të dokumentuar implikimin e personave të tjerë, të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.