Opozita ka paralajmëruar sot një protestë para Kryesisë së Kuvendit, pak para se Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit të shqyrtojë kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ende është e pavendosur nëse vetë Berisha do të paraqitet personalisht apo me avokatët e tij në këtë mbledhje. Por në të gjitha daljet e tij publike, ish-kryeministri ka deklaruar se protesta e thirrur nga opozita, edhe pse përkon me të njëjtën orë me mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, nuk ka aspak lidhje me vendimin që pritet të merret për fatin e imunitetit të tij.
Sipas Berishës, opozita do të protestojë sot për grushtin e shtetit brenda shtetit që kryeministri Rama po bën duke marrë kompetencat e parlamentit përmes vendimeve antikushtetuese të SPAK-ut. Por pavarësisht vendimmarrjes së sotme të këshillit, ish-kryeministri është shprehur se do ta njohë vendimin e Parlamentit.
Mbetet për t’u parë nëse ky vendim do merret vetëm me votat e 5 socialistëve apo atyre do t’u bashkohet edhe ajo e përfaqësuesit të Lulzim Bashës në këtë këshill, Enkelejd Alibeaj. Në këtë këshill janë anëtarë edhe Gazment Bardhi, Greta Bardeli, Ervin Salianji dhe Saimir Korreshi.
Për tubimin e thirrur nga demokratët, komisariatet e policisë do të jenë në gatishmëri për mbarëvajtjen e tij. Drejtoria e Policisë së Tiranës ka hartuar një plan masash me prezencë të shtuar të punonjësve të rendit në perimetrin ku do të mbahet protesta. Krahas protestës së të hënës opozita ka paralajmëruar edhe një tjetër tubim përpara Parlamentit ditën kur socialistët do të votojnë në seancë plenare dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-kryeministrit Berisha.