Sipas revistës prestigjioze ‘People’, aktori Patrick Dempsey është burri më seksi në botë për vitin 2023. Prej 2 dekadash pjesë e ekranit, ai është i bërë i dashur për publikun falë rolit të tij në serialin “Anatomia e Greit”. Patrick është vlerësuar në moshën 57-vjeçare, si burri më seksi në planet.
Edhe këtë lajm, me kurorën mbi kokë, Patrick e ka marrë si gjithnjë, me të qeshur dhe e ka kaluar me batutë:
“Sigurisht që ma përkëdhel egon, është vlerësim i jashtëzakonshëm dhe patjetër që do të përkthehet në diçka pozitive, të paktën shpresoj”, tha ai për revistën ‘People’, në kopertinën e të cilës shfaqet për numrin e muajit nëntor.
Patrick prej vitesh, veç kinemasë, angazhohet edhe në beteja kundër kancerit dhe mbështet pacientët e sëmurë, për të cilët ka ngritur edhe qendrën Dempsey. Së fundmi, ka luajtur edhe në dramën “Ferrari” që shfaqet premierë në kinematë botërore për Krishtlindje.