Bizneset dhe konsumatorët parashikojnë përkeqësim të gjendjes financiare në muajt në vijim. Kjo është e ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve dhe efektet që ato do të japin në punësime apo në gjendjen financiare të bizneseve.
Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë treguesi i ndjesisë ekonomike rezultoi në rënie me rreth 2.5 pikë në muajin korrik. Rënia u përcaktua nga përkeqësimi i besimit në të gjithë sektorët e ekonomisë si në industri, ndërtim, shërbime dhe tregti. Ndërkohë, treguesi i besimit të konsumatorëve regjistroi pothuajse të njëjtat vlera si një muaj më parë. Rënien më drastike e ka pësuar sektori i shërbimeve me 6.1%.
Bizneset në aktivitetin e shërbimeve presin një reduktim të ndjeshëm të punësimit aktual. Vlerësime negative për situatën ekonomike ka edhe sektori i industrisë dhe treguesi i besimit në këtë sektor ka rënë me 3.2%. Edhe treguesi i Besimit në Ndërtim regjistroi rënie me 1.9 pikë përqindje krahasuar me një muaj më parë, kjo u ndikua nga përkeqësimi i balancës për aktivitetin ndërtues, ashtu edhe nga treguesi për kontratat porositëse.
Ndërkohë, vlerësimi i konsumatorëve vijon të jetë në të njëjtin nivel. Ata presin që situata e tyre financiare dhe gjendja e përgjithshme e ekonomisë në të ardhmen të jetë në rënie. Konsumatorët vlerësojnë me rritje ecurinë aktuale të çmimeve, kundrejt pritjeve për ngadalësim të tyre në të ardhmen.