Protesta e dytë pas vdekjes tragjike të 10-vjeçares Jonada Avdia në Himarë më 2 gusht, mbahet sot në kryeqytet.
Protestuesit janë mbledhur para Ministrisë së Brendshme nën moton “Drejtësi për Jonadën”, e cila humbi jetën ndërsa pushonte me familjen në plazhin e Himarës, kur skafi i komisarit Arjan Tase e përplasi dhe i mori jetën në vend.
Protestuesit kanë lëshuar thirrje për drejtësi e kundër qeverisë në dyert e ministrisë. Më pas kanë lyer me bojë të kuqe muret e ministrisë së Brendshme.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro, por edhe drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Demonstruesit vendosën një afat prej 72 orësh, ku kanë kërkuar nga Kryeministri Rama shkarkimin e dy ministrave dhe drejtorit, por duket se ky afat ka skaduar. Protesta mbështetet edhe nga opozita.