Aktori i humorit, Julian Deda, ka folur gjatë një interviste për sfidat që i ati, Zef Deda ka kaluar para viteve ’90, kur vuante nga një problem shëndetësor nga këmba.
Në rrëfimin e tij emocional, Juli tregoi se regjimi monist e trajtoi Zef Dedën jo për problemin e këmës, por me ilaçe për shëndetin mendor, në mënyrë që ta ndalonin të arrastisej.
“Më herët kam qenë 5 apo 6 vjeç, sepse nuk e mbaj mend mirë… Im atë u sëmur dhe rrinte shumë në shtëpi, nuk doli më në televizor, pastaj iku me kurime jashtë njëherë në Vjenë dhe më pas në Hungari. Ne ishim vetëm me mamin. Mendja na rrinte gjithmonë atje dhe kjo ishte periudha më e vështirë e jetës tonë sepse ai dëmtim që kishte në këmbë, në atë kohë nuk mund të bëhej në Shqipëri dhe mund t’i merrte edhe jetën.
Konjukturat asokohe e çuan në spital, madje e kuruan edhe për të sëmurë psikik sepse thoshin që ‘ky bën kështu sepse do të dalë jashtë shtetit, do të arratiset ky aktori dhe shtiret sikur i dhëmb këmba’. Ata mendonin se donte të ikte, pasi problemi që kishte në këmbë, ishte ende i panjohur e i pakurueshëm për mjekësinë këtu te ne.
Në fakt ai kishte thjesht këmbën dhe e nisën atëherë jashtë vendit sepse ai nuk doli në televizor natën e Vitit të Ri. Dhe po të mos dilje në televizor natën e Vitit të Ri për një aktor kishe probleme.
Kur nuk doli u shqetësua Byroja politike. Thanë: ‘Po ku është ky aktori’? Sepse atëherë nuk ishte si tani që mund të mos dalësh nga 4 vjet në skenë dhe s’kujtohet njeri për ty. Atëherë kujtoheshin.
Pyetën ku është ky? Dhe u thanë që është keq nga këmba në shtëpi. Pastaj e dërguan në Hungari dhe madje edhe atje me diagnozën i sëmurë psikik, derisa mjekët e vunë re vetë se çfarë kishte dhe e kuruan”,- rrëfeu Julian Deda për të atin.