I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak viziton ditën e sotme Kosovën, në përpjekje për të ulur tensionet në veri të Kosovës. Në Prishtinë është konfirmuar se Lajçak pasditen e së martës do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Nuk ka asnjë detaj nëse Lajçak do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti.
Menjëherë pas vizitës në Kosovë, raportohet se Lajçak do të vizitojë edhe Serbinë, në tentativë për të bindur palët që përveç se të shtensionojnë situatën, t’i kthehen dialogut.
BE i ka paraqitur disa kërkesa Kosovës sa i përket situatës në veri. Brukseli po kërkon tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave komunale në veri, paralelisht me tërheqjen e protestuesve serbë. Po ashtu, BE-ja po kërkon tërheqjen e kryetarëve të rinj nga ndërtesat komunale, shpalljen e zgjedhjeve në veri dhe zotimin publik të serbëve se do të marrin pjesë në votime.