Ministria e Brendshme ka reaguar pas tensioneve dhe përplasjeve në vendqëndrimin e MEK në Manëz të Durrësit.
Operacioni i sotëm i Policisë së Shtetit në vendqëndrimin e MEK në Manëz të Durrësit është në zbatim të plotë të urdhrit të SPAK dhe vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.
Vendimi i Gjykatës është pasojë e veprimeve që bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK prej vitit 2014 kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. Fatkeqësisht ky grupim nuk iu është përmbajtur këtyre angazhimeve duke thyer marrëveshjen. Ndërhyrja e Policisë së Shtetit ka qenë konform ligjit dhe në zbatim korrekt të procedurave që kërkojnë operacione të tilla. Veprimet e Policisë së Shtetit për zbatimin e ligjit janë kryer si në çdo pjesë tjetër të territorit të Republikës së Shqipërisë.
“Fatkeqësisht brenda kampit ka pasur rezistencë ndaj kryerjes së punës së Policisë së Shtetit, ç’ka bie ndesh me kuadrin procedural të zbatimit të ligjit. Bazuar në të dhënat e Policisë së Shtetit, gjatë operacionit nuk ka pasur humbje jete dhe as të lënduar. Për çdo pretendim për humbje jete në spitalin e vendqëndrimit të tyre po bëhen të gjitha verifikimet proceduriale”, thuhet në njoftim.