Rrëmbimi i 3 policëve kosovarë nga Serbia ka sjellë reagimin e shumë partnerëve ndërkombëtarë. Së fundmi, ka qenë Britania e Madhe ajo e cila u ka bërë thirrje institucioneve serbe që të lirojnë sa më shpejt policët dhe ka kërkuar nga Serbia dhe Kosova që të shmangin tensionet dhe të përmbahen.
‘Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të ndaluar më 14 qershor. Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet. Ne përsërisim thirrjet tona për kryeministrin Kurti dhe qeverinë e tij që të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të komunave të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe që njësitë speciale të policisë të tërhiqen nga ndërtesat komunale.
Zgjedhjet e reja, gjithëpërfshirëse duhet të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur. Ne presim dhe inkurajojmë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në këto zgjedhje.
Presim që Kosova dhe Serbia të angazhohen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe në veçanti të fillojnë punën pa vonesa të mëtejshme për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe’, thuhet në njoftimin e ambasadës britanike.