Në shënim të 24-vjetorit të çlirimit të Kosovës, krerët e shtetit vendosen kurora lulesh te pllaka përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s. Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, vlerësuan rolin e NATO-s në këtë ditë historike për vendin, duke thënë se janë mirënjohës për aleatët. Më pas krerët e shtetit, kanë bërë homazhe edhe pranë varrit të ish-presidentit, Ibrahim Rugova, ish-veprimtarit, Adem Demaçi dhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
“Tani po nderojmë ushtarët e NATO-s, ata që nga 10 qershori e tutje hynë në Republikën e Kosovës për t’ia dhënë vulën e çlirimit të vendit tonë. Jemi mirënjohës përherë dhe përsërisim këtë mirënjohje në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës”, tha Osmani.
“Pas çlirimit vjen paqja, sot përkujtojmë dhe festojmë 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe vendosjen e paqes në vendin tonë, pra 12 qershorin. Bashkë me presidenten e Republikës dhe kryetarin e Kuvendit kujtuam duke vendosur lule të freskëta dhe bërë homazhe humanizmin e Rugovës, qëndresën e Demaçit, sakrificën e Jasharajve dhe këtu kontributin e NATO-s. Përulemi para gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe të gjithë atyre të cilët dhanë jetën për lirinë e popullit dhe çlirimin e Kosovës. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s e ndaloi gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë gjithnjë dhe përgjithmonë jemi falënderues dhe mirënjohës”, tha Kurti.
24 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.
Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.