Në 4 komunat në veri të Kosovës po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale. Banorët e komunave me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç po votojnë për të zgjedhur kryetarët e rinj të komunave. Që në mëngjes, në të katër komunat janë hapur 19 qendra votimi. 6 prej tyre janë të rregullta ndërsa 13 të tjera janë në kontejnerë që u vendosën pak ditë më parë nga autoritetet kosovare. Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri në orën 15:00, në Leposaviç kanë votuar 110 qytetarë, në Zubin Potok e kanë ushtruar të drejtën e votës 240 qytetarë, 145 votues kanë dalë në Zveçan ndërsa në Mitrovicën e Veriut kanë dalë në votime 597 qytetarë.
Pjesëmarrja në këto zgjedhje është e vogël pasi në këtë proces nuk merr pjesë partia më e madhe e serbeve të Kosovës, Lista Serbe e cila u ka bërë thirrje qytetarëve që ta bojkotojnë procesin.
Pavarësisht pjesëmarrjes së ulët, zgjedhjet vijojnë deri në këto momente pa incidente dhe të qeta. Në garë për kryetarë të rinj të katër komunave është vetëm një kandidate serbe ndërsa të tjerët janë shqiptarë. Pak ditë më parë u tërhoq nga gara edhe partia e serbëve të Kosovës për shkak të presionit të lartë nga Beogradi.
Zgjedhjet në veri vijnë pas largimit të serbëve nga të gjitha institucionet në fund të vitit të kaluar. Presidentja Vjosa Osmani dekretoi fillimisht 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e votimeve, por u shty për shkak të tensioneve në veri me vendosjen e barrikadave në fundin e vitit të shkuar.