Policia e Turqisë ditën e djeshme ka arrestuar në Aeroportin e Stambollit disenjatorin Valdrin Sahiti. Sipas burimeve të mediave kosovare arrestimi i Sahitit ka ndodhur pasi atij i është sekuestruar drogë.
Policia turke ka njoftuar Policinë e Kosovës se Valdrin Sahiti është kapur me pasaportë diplomatike të lëshuar nga Republika ne Kosovës. Sahiti ka shfrytëzuar statusin e diplomatit për të kaluar në zonën VIP të aeroportit të Stambollit, mirëpo pas dyshimeve të policisë turke ai është kapur në flagrancë dhe gjatë kontrollit i është gjetur drogë.
Valdrin Sahiti ishte pajisur me pasaportë diplomatike në vitin 2020 me rekomandim të ish-ministres së jashtme të Kosovës, Melisa Haradinaj. Pajisja e tij me pasaportë diplomatike ishte bërë me arsyetimin për afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke qenë se Sahiti është shumë i njohur në botën e modës.