I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europain për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, këtë javë do të qëndrojë në Prishtinë. Ai do të ketë takime me liderë të institucioneve të Kosovës, por edhe me përfaqësues të opozitës.
Vizita e tij vjen në kuadër të planit të zbatimit të propozimit evropian, por pa u spceifikuar dita e saktë se kur diplomati evropian do të mbërrijë në Prishtinë.
Lajçak do të shkojë gjithashtu edhe në Beograd, kur të jetë koha më e përshtatshme për të, ka konfirmuar Zyra për Media e BE-së.
Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka thënë më herët se I dërguari special i BE-së vjen në Prishtinë nga fundi i kësaj jave, pë rta parë ecurinë që ka bërë pala kosovare për aneksin e zbatimit të propozimit evropian, që është pranuar nga Kosova dhe Serbia.
Dilomati pritet të vizitojë Kosovën dhe Serbinë para takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit, Aleksandër Vuçic me 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri Kurti tha se negociatat për normalizim do të vazhdojnë përmes diplomacisë fluturuese, pasi pranoi zyrtarisht propozimin evropian më 21 shkurt.
Edhe para rënies dakord për propozimin evropian, Lajçak dhe diplomatë të tjerë perëndimorë kishin shpeshtuar muajve të fundit vizitat në Prishtinë dhe në Beograd, për t’i bindur palët ta pranonin propozimin.
Në propozim, zotimi për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara më parë mes Kosovës dhe Serbisë është në pikën e fundit. Diplomatët e huaj, pas pranimit të propozimit evropian nga palët, kanë ripërsëritur thirrjet që Kosova të nisë themelimin e Asociacionit.