Pas reagimit të kompozitorit të njohur shqiptar Valentin Veizi, kënga e interpertuar nga Elsa Lila dhe Capital T, “Pyes Lotin” është hequr nga Youtube.
Ai ka thënë se tani e drejta e autorit duhet të respektohet, ndërsa më herët u shpreh se po ia bënin këngën ‘pis’, pavarësisht se versioni i Elsës me Capital T u prit mirë nga publiku.
“Pyes Lotin” me autor Veizin dhe tekst të poetes Enrieta Sina, erdhi në një version komplet ndryshe në Festivalin e 60-të të Këngës në RTSh.
Në një intervistë për Euronews Albania, kompozitori tregon se ai nuk ka folur me Elsa Lilën, ndërkohë që ka ndjerë dhimbje kur ka parë këngën e tij të deformuar.
“Duhet të komunikonin ata me mua për këtë mendim që kishin. Nuk kam arsye të flas me këdo, nuk do e bëj pazar me muhabete telefoni. Shikoj në YouTube, në ekran këngën time, e dëgjoj me autor tjetër, një këngë që unë jam krenar për” Pyes Lotin “. Unë kam thënë mos ma bëni pis, në fakt është më tepër, është dhimbje. Më mirë mos e kisha dëgjuar në fakt, aq keq jam ndjerë kur kam dëgjuar atë këngë në atë variant që u soll”, theksoi ai,
Pas ankesës së Veizit, YouTube i ka dhënë të drejtë duke fshirë këngën e versionit të ri. Ai tregon se nuk është një luftë personale sesa me fenomenin e grabitjes dhe tjetërsimit të këngëve, pa lejen e autorëve.