Në takimin e zhvilluar ditën e djeshme me kryeministrin Albin Kurti, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka bërë thirrje që të mos humbet kohë dhe pala kosovare dhe ajo serbe të punojnë drejt normalizimit të raporteve.
‘‘Ne nuk dëshirojmë të vonojmë, momentumi është tani, nuk i kam dëshirë afatet e caktuara, por jemi duke ecur përpara për progres në dialog’’, u shpreh Lajçak.
Me Kurtin, i dërguari i BE-së Lajçak ka biseduar edhe për kthimin e serbëve në institucione.
‘‘E diskutova dje me Vuçiçin dhe sot ja prezantova Kurtit, se kemi një vakum të sigurisë. Nuk është e mirë për askënd, as për njerëzit, shpresoj të kthehen dhe situata të kthehet në normale’’, tha i dërguari i BE për dialogun Kosovë-Serbi.
Temë diskutimi mes tyre ka qenë edhe përgatitja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme që pritet të mbahen në katër komunat veriore. Para se të vinte në Kosovë Lajçak ishte në Beograd ku atje u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.