Policia e Kosovës raporton se në zonën kufitare në veri dyshohet të jenë rrëmbyer tre zyrtarë kufitar patrullues.
Sipas Telegrafi, tre efektivët e policisë së Kosovës janë kapur nga Njësia serbe “Kobra”.
Në njoftim thuhet se njësia policore patrulluese e kufirit të Kosovës ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim të paligjshëm dhe kontrabandë.
“Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së.
Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare por jo edhe vet zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion. Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policor janë kidnapuar nga forcat serbe”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.