Policia e Shtetit nisi mbrëmjen e së mërkurës një operacion për të ekzekutuar 11 urdhër arreste të lëshuar nga Prokuroria e Sarandës për zyrtarë dhe ish-zyrtarë të hipotekës, legalizimeve dhe Inspektoratit të Ndërtimit.
Ata dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën lidhur me leje ndërtimi, legalizime apo mosveprime në zonën bregdetare të Ksamilit dhe Sarandës. Të paktën tetë prej zyrtarëve janë arrestuar nga policia, ndërsa operacioni vijon.
Hetimet ndaj zyrtarëve dhe ish drejtuesve të Hipotekës dhe Legalizimeve kanë nisur nga Prokuroria e Sarandës disa kohë më parë.
Mësohet se urdhër arrestet janë lëshuar për dy ish drejtorë të Kadastrës së Sarandës vitet e fundit dhe për ish drejtorin e ALUIZN-it, ndërsa personat e tjerë janë inspektorë të Inspektoratit Kombëtar dhe Vendor të Ndërtimit dhe ish-punonjës të Agjencisë së Legalizimeve.