Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu kërcënoi se Ankaraja do të “merrte masa” kundër Greqisë nëse vazhdon të transferojë armë në ishujt e saj në Detin Egje.
Këtë e raporton Associated Press.
Duke folur në një konferencë për shtyp të martën, Çavuşoğlu tha se militarizimi i mëtejshëm i ishujve, për të cilin ai tha se shkel marrëveshjet midis Ankarasë dhe Athinës, do ta detyronte Turqinë të mbrojë të drejtat e saj.
Zëvendësministri i Jashtëm grek Miltiadis Varvitsiotis akuzoi më pas Ankaranë për “deklarata të përsëritura provokuese dhe historikisht injorante” dhe mohoi të ketë “qëllime agresive” ndaj Turqisë.
“Ne jemi të vendosur të mbrojmë integritetin tonë territorial në të gjitha mënyrat e mundshme”, theksoi ai.
Deklaratat e Çavuşoğlu erdhën pas raportimeve për stërvitje ushtarake greke në ishujt Rodos dhe Lesbos në detin Egje.
Turqia argumenton se vendosja e ushtarëve ose armëve në ishujt jashtë brigjeve të saj është një shkelje e statusit të tyre joushtarak sipas ligjit ndërkombëtar.
Athina, nga ana tjetër, deklaron nevojën për të mbrojtur ishujt nga një sulm i mundshëm nga Ankaraja. Greqia pretendon se Turqia ka një prani të konsiderueshme ushtarake në bregun perëndimor pikërisht përballë ishujve.
Turqia dhe Greqia, megjithëse janë bashkë në NATO, kanë qenë në konflikt për shumë vite për një sërë çështjesh, duke përfshirë pretendimet territoriale në detin Egje dhe hapësirën ajrore mbi të.
Në tetor 2022, këto kontradikta u kthyen në një përshkallëzim të ri, kur presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, kërcënoi drejtpërdrejt trupat greke në këto ishuj, duke thënë se “një natë mund të vijmë befas”.