Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, kanë thënë se janë të shqetësuar për situatën në Veri të vendit.
Wigemark ka shkruar në Twitter se është i shqetësuar me incidentet e djeshme në veri dhe se “çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe të gjithë duhet të qëndrojnë të qetë dhe të përmbajtur”.
Ai tha se EULEX-i do të vazhdojë ta monitorojë situatën në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka shpërndarë postimin e Wigemarkut në Twitter, dhe ka shkruar “vërtet shumë shqetësuese”, duke shtuar që ai mbështetë protestat paqësore, por duhet të ketë “zero tolerancë ndaj dhunës”.
“Dhuna e djeshme ndaj zyrave të komisioneve komunale zgjedhore është e papranueshme”, ka thënë Rohde.
Komentet vijnë një ditë pasi grupe të qytetarëve serbë në veri penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente me armë zjarri dhe granata.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës “duhet të jetë prioriteti më i lartë”, dhe se aktualisht nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Zgjedhjet në katër komunat e banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan – janë planifikuar të mbahen më 18 dhjetor.
Vjosa Osmani
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të mund të vendosë për shtyrjen e datës së zgjedhjeve në veri të Kosovës, vetëm nëse për këtë çështje do të japin vlerësim organet e sigurisë dhe ato zgjedhore.
Kështu tha Presidenca e Kosovës lidhur me pyetjen nëse ka kushte që të mbahen zgjedhjet për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës, pasi në ditë më parë pati shpërthime dhe të shtëna armësh në këtë pjesë të vendit.
Policia e Kosovës tha se po shoqëronte zyrtarët komunalë zgjedhorë në zyrat e tyre në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, kur persona dhe grupe, siç tha të maskuar, përdorën “mjete të rrezikshme dhe granata dore, përfshirë të prodhimit jugosllav” dhe dëmtuar zyrat zgjedhore.
“Presidenca është në kontakt të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe nëse vjen një kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve, sipas praktikave të Komisionit të Venedikut, presidentja Osmani do t’i ftojë subjektet politike për konsultime dhe më pas do ta marrë vendimin”, tha për mediat, Bekim Kupina, këshilltar i Osmanit.