Tirana feston sot 104-vjetorin si kryeqytet, ndaj bashkia ka organizuar disa aktivitete përgjatë ditës në rrugën “Myslym Shyri”.
Kryetari i bashkisë, Veliaj, ka ftuar qytetarët në festën që do të zhvillohet nga ora 10:00 deri në 22:00. Në këto aktivitete do të ketë muzikë me DJ të njohur, kërcime, sport, kulinari dhe argëtim për fëmijët.
“Tirana Gëzon! Këtë fundjavë kemi festën më të bukur në rrugën më popullore të qytetit, te “Myslym Shyri”, me rastin e 104-vjetorit të Tiranës kryeqytet. Muzikë nën tingujt e DJ më në zë të momentit, kërcim, zona e sportit, zona e gatimit, zona e argëtimit për fëmijë dhe shumë surpriza të tjera. Bashkohu dhe ti nga ora 10⁰⁰ deri në 22⁰⁰”, shprehet Veliaj.
Bashkia përveç argëtimit ka hartuar gjithashtu një plan masash ku lëvizja e automjeteve do të jetë pjesërisht e kufizuar në segmentin e rrugës “Myslym Shyri”.
Plani i lëvizjes së automjeteve:
1. Kufizimin e qarkullimit të automjeteve, në kuadër të organizimit të aktiviteteve me rastin e 104 vjetorit të Tiranës, në segmentin e rrugës “Myslym Shyri”, nga kryqëzimi i rrugës “Sami Frashëri” me rrugën “Myslym Shyri”, deri në kryqëzimin e rrugës “Reshit Çollaku” me rrugën “Myslym Shyri”, nga data 09.02.2024 ora 21:00, deri në datën 11.02 2024 ora 03:00. 2. Qarkullimi i automjeteve, do të devijojë në rrugët “Vangjush Furxhi”, “Islam Alla”, “Hajdar Hidi”, “Shyqyri Bërxolli”.
3. Qarkullimi i mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të vazhdojë normalisht në të gjitha segmentet rrugore të mësipërme.