Një numër gjithnjë e në rritje figurash të krimit shqiptar po gjejnë strehim dhe po pastrojnë para në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke e ditur se autoritetet në Shqipëri dhe gjetkë në Evropë do të hasin vështirësi për të siguruar ekstradimin e tyre.
Emiratet e Bashkuara Arabe janë kthyer së fundmi në ‘parajsën’ e kokave të krimit shqiptar, ku deri më sot janë të paktën 6 persona nga vendi ynë, mes të cilëve 2 të kërkuar nga SPAK, të cilët kanë zgjedhur të strehohen në Dubai për t’iu shmangur drejtësisë.
Megjithatë, 6 dihen tashmë zyrtarisht, ndërsa mendohet se është numër shumë i madh i shtetasve shqiptarë, të cilët janë shpallur në kërkim dhe që fshihen në këtë vend, madje me identitete të ndryshuara. Mendohet që numri i tyre të jetë mbi 20.
Mbi ta rëndojnë akuzat e vrasjes ndaj një ose më shumë personave, trafik droge apo tentativë vrasje, si rasti i fundit i tre të rinjve që terrorizuan Lezhën, kur hynë të armatosur gjer në dhëmbë në një lokal, duke kërcënuar disa persona që po rrinin aty.
Dubai, një nga qendrat e turizmit botëror është shndërruar në strehën e fundit të kriminelëve shqiptarë, që duke përfituar nga lehtësitë që krijojnë Emiratet e Bashkuara kanë një shans të dytë në këtë qytet të famshëm për hotelet me pesë yje dhe jetën e shtrenjtë që ofron.
Duke qenë kaq larg Shqipërisë kundërshtarët e tyre dhe grupet rivale e kanë të pamundur t’i gjurmojnë dhe akoma më të vështirë për t’i eleminuar.
Po përse zgjedhin kriminelët shqiptarë Dubain?
Emiratet e Bashkuara Arabe ku bën pjesë edhe Dubai, janë pjesë e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër krimit të organizuar, por për ekstradimin e subjekteve pa pasur një marrëveshje, mund të veprohet vetëm me reciprocitet.
Kjo do të thotë me pak fjalë se, Shqipëria duhet t’i dorëzojë Emirateve të Bashkuara një të kërkuar për llogari të drejtësisë së tyre dhe në këmbim, të tërheqë një nga shqiptarët e kërkuar që jetojnë atje.
Mirëpo, duhet përmendur fakti se, shqiptarët e kërkuar në vendin tonë, të cilët strehohen në Dubai, nuk përfshihen në krime të dhunshme apo përplasje mes bandave, pasi ligjet janë shumë të ashpra dhe mund t’u rrezikohet qëndrimi.
Kjo e bën Dubain për ta si një ‘fole’ ku mund të përfitojnë edhe leje qendrimi, ndërsa askush nuk i kontrollon pushtetin e tyre financiar, duke i garantuar atyre në këtë mënyrë lirinë, mes luksit dhe qetësisë.
Cilët janë disa nga ‘më të kërkuarit’ shqiptarë që strehohen në Dubai?
Ramazan Rraja i njohur si nip i deputetit të PS, Rrahman Rraja dhe dy shokët e tij Roan Brahimi dhe Alesio Dobrozi, disa muaj më parë terrorizuan me armë disa të rinj në një fshat të Lezhës, ndërsa kur Policia i kishte identifikuar autorët, do të ishte tepër vonë, sepse ata tanimë do të kishin mbërritur në Dubai.
Rraja ka folur për mediat duke deklaruar se ditën që ka ndodhur ngjarja ai ishte në shtëpi, në një sebep familjar.
“Nëse Policia dhe Prokuroria e Lezhës kanë qoftë edhe një provë për mua dhe dy personat e tjerë që janë shpallur në kërkim, jam i gatshëm të vij dhe të përballem me drejtësinë duke pranuar edhe burgimin e përjetshëm”, deklaronte Rrahja asokohe nga arratia.
Nga kontrolli i të dhënave doli se fillimisht Rraja kishte udhëtuar drejt Italisë dhe më pas drejt Dubait. Por, Ramazan Rraja nuk është i pari që ka shkelur këtë destinacion për t’i shpëtuar drejtësisë.
Florenc Çapja u arrestua në maj të vitit të kaluar në Dubai. Ai u akuzua për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Fadil Memës në vitin 2006.
Sipas policisë, autor i këtij atentati ka qenë Florenc Çapja, i cili në të shkuarën është akuzuar edhe për vrasjen e Memës, ekzekutuar më 13 mars 2015 në Torino, Itali dhe Gentian Beqirit. Të dy këta akuzoheshin nga familja Çapja për vrasjen e Sokol Çapjes në dhjetor 2005.
Denis Matoshi i njohur edhe si Eldi Dizdari u vu në pranga në Dubai në shtator të 2020-s, pas një hetimi ndërkombëtar të nisur prej 2015-s për trafikun ndërkombëtar të drogës, si anëtar i “KOMPANIA BELLO” i finalizuar në 10 shtete të ndryshme.
Plaurent Dervishaj u arrestua po në Dubai në 11 dhjetor. Ish-kunati i Lul Berishës ishte shpallur në kërkim nga SPAK për vrasjet e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut në vitin 2005, por nuk u ekstradua në Shqipëri duke shpëtuar. Në 6 shkurt ai u lirua nga qelia në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Çfarë thonë ekspertët për ‘zgjedhjen’ e Dubait nga kriminelët shqiptarë:
Kriminologu dhe njëherësh juristi italian ka rrëfyer se si mafia shqiptare dhe ajo italiane kanë gjetur parajsën në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në një intervistë për ‘Rai News’ Vincenzo Musacchio thekson se vendet si Dubai janë shndërruar në pikën më strategjike të trafikantëve të drogës të cilët kontrollojnë gjithçka që andej dhe madje investojnë në këtë vend, ku vetë drejtësia arabe është neglizhente në këtë drejtim, por edhe mungesa e marrëveshjes së ekstradimit është një problem më vete.
Ku e investojnë kapitalin e tyre?
Dobësia kryesore e këtij vendi është tregu i pasurive të paluajtshme. Dubai, për shembull, është bërë strategjik për krimin e organizuar global. Aty mafia arrin të pastrojë paratë e pista duke i investuar, me shumë pak kufizime, në sektorin e ndërtimit.
Kësaj i shtohet edhe mundësia e madhe e krijimit të kompanive “offshore” brenda enklavës ekonomike të sipërmarrëse të vendit arab.
A i lehtësojnë këto kompani mafiozët në qëllimin e tyre kriminal?
Patjetër qe po. Emiratet përfaqësojnë sot një nga vendet kryesore të investimeve ekonomike dhe financiare në nivel ndërkombëtar. Pavarësisht reformave të bëra për të frenuar këto fenomene kriminale, në Emiratet e Bashkuara Arabe është ende e mundur të hapen kompani guaska të afta të fshehin identitetin e pronarëve të vërtetë si dhe ka zona të tregtisë së lirë ku investimet janë të mundshme duke përdorur këtë lloj kompanie.
Pse mafiet investojnë dhe riciklojnë paratë në Emiratet e Bashkuara Arabe?
Sepse Emiratet e Bashkuara Arabe garantojnë fshehtësinë, besueshmërinë dhe mungesën e kontrolleve. Kjo është një ftesë gati bujare për mafiozët nga e gjithë bota. As nuk duhet të harrojmë se midis parajsave të ndryshme fiskale që ekzistojnë, është ajo që Shtetet e Bashkuara.
Emiratet e Bashkuara Arabe konsiderohet si një aleat strategjik ushtarak dhe një mburojë kundër terrorizmit në Lindjen e Mesme. Prandaj, shumë pak guxojnë të ushtrojnë mbi këtë komb ato presione që janë ushtruar në Zvicër apo ishujt Cayman apo edhe në parajsa të tjera fiskale që garantonin kapitalin e fshehur dhe sekretin bankar.
Mund të na jepni një shembull se si funksionojnë klanet mafioze?
Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit i Qendrës për Studime të Avancuara të Mbrojtjes (CADS), ka verifikuar se si në Dubai është e mundur të blihen prona me vlerë miliona euro pa formalitete të veçanta tatimore dhe ligjore.
Aty ka prona me një vlerë prej rreth tridhjetë milionë eurosh që mbahen direkt nga kompanitë, të cilat shpeshherë nuk u atribuohen pronarëve të vërtetë. Të dhënat do të dilnin në shesh nëse hetojmë transferimin e pasurive të paluajtshme. Mafiet që përdorin këto kompani guaskë shpesh fshehin të ardhurat kriminale duke falsifikuar gjithashtu dokumentet e kontabilitetit.